Digjen kosha mbeturinash në Çair, Komuna apelon për përgjegjësi dhe raportim të autorëve

1 Min. Leximi

Komuna e Çairit ka reaguar pas djegies dhe dëmtimit të disa koshave të mbeturinave në territorin e komunës, duke e cilësuar këtë veprim si dëmtim të pronës publike dhe të interesit të përbashkët të qytetarëve.

Nga Komuna e Çairit bëjnë thirrje që qytetarët të tregojnë më shumë përgjegjësi ndaj hapësirave dhe pajisjeve publike, duke theksuar se koshat e mbeturinave janë vendosur për të ndihmuar në mbajtjen e një mjedisi më të pastër dhe më të rregullt.

“Djegia e tyre nuk zgjidh asnjë problem, përkundrazi, krijon mbeturina, ndotje, rrezik për qytetarët dhe kosto të reja që përsëri i paguajmë të gjithë”, thuhet në reagimin e Komunës.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë akteve të tilla dhe, nëse kanë informacion për autorët, ta raportojnë rastin tek institucionet kompetente.

“Çairi është shtëpia jonë e përbashkët. Ta ruajmë së bashku”, thekson Komuna e Çairit, duke shtuar se do të vazhdojë punën për një mjedis më të pastër, por se kjo kërkon edhe përgjegjësinë dhe kujdesin e secilit qytetar.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull