Nga Bujar OSMANI
Dobësia e Vlen-it nuk vjen vetëm nga menaxhimi i keq, por nga defekti në lindjen e këtij projekti.
Brenda Vlen-it u mblodhën fragmente politike me prejardhje, ideologji, lidhje, kapje, interesa dhe ambicie të ndryshme personale.
Drejtuesit e tyre nuk kishin një ide të përbashkët, një hierarki të pranuar apo një qendër të veten vendimmarrjeje. E vetmja forcë që i bashkoi ishte një dorë e madhe nga jashtë, pjesë e boshtit ideologjik Budapest-Beograd-Prishtinë-Shkup. Një projekt që, në thelb, synon dobësimin e ndikimit euro-amerikan në rajon, në rastin tonë, nëpërmjet një emëruesi të përbashkët negativ: largimit të BDI-së.
Shkenca politike këtë do ta përshkruante si koalicion negativ: një aleancë që mbahet e bashkuar nga kundërshtari i përbashkët, pa pasur një projekt të përbashkët.
Vlen-i u ndërtua përmes agregimit mekanik, pa integrim politik; pa doktrinë të përbashkët politike; pa hierarki të brendshme të pranuar; pa qendër autonome vendimmarrjeje; pa mekanizma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Pasi BDI-ja u largua nga Qeveria, përkundër vullnetit të shqiptarëve, një forcë tjetër e zëvendësoi kundërshtarin e përbashkët dhe u shndërrua në qendrën organizuese të koalicionit.
Ajo forcë ishte VMRO-DPMNE-ja.
Meqenëse asnjë drejtues i Vlen-it nuk mund t’u imponohej të tjerëve, VMRO-DPMNE-ja u bë arbitri i jashtëm i marrëdhënieve mes tyre: kush merr ministri, kush kontrollon drejtori, kujt i forcohet struktura lokale dhe kush gëzon mbrojtje politike.
Si pasojë, secili komponent i Vlen-it ndërtoi një marrëdhënie vertikale me VMRO-DPMNE-në, më të fortë sesa marrëdhënia horizontale me komponentët e tjerë të koalicionit.
Kështu krijohet mekanizmi i kontrollit përmes fragmentimit.
Secili komponent e di se mund të anashkalohet ose të zëvendësohet nga tjetri.
Kundërshtimi bëhet individualisht i rrezikshëm. Bindja shpërblehet individualisht. Në vend që të garojnë se kush mund të sigurojë më shumë të drejta kolektive për shqiptarët, ata garojnë se kush mund të dëshmohet më i dobishëm për partnerin dominues.
Pasojat shkojnë përtej dobësisë së Vlen-it. Prania e tij siguron kuadro shqiptarë dhe pamje multietnike për politika, boshti konceptual i të cilave mbetet tërësisht maqedonas.
Kjo mundëson që institucionet e përbashkëta gradualisht të emërtohen si “maqedonase”: Armata Maqedonase, shteti maqedonas, interesat kombëtare maqedonase, ndërkohë që Qeveria vazhdon të ekspozojë ministra shqiptarë rreth tryezës.
VMRO-DPMNE-ja u bë arbitri mes pjesëve të Vlen-it: kush do të merrte ministri, kush drejtori, kush do të mbrohej dhe kush mund të zëvendësohej. Kështu, secili grup ndërtoi një lidhje më të fortë me VMRO-DPMNE-në sesa me partnerët e vet brenda Vlen-it.
Nga ai moment filloi gara e bindjes. Secili e di se kundërshtimi mund t’i kushtojë postet dhe se vendin e tij mund ta zërë menjëherë grupi tjetër.
Prandaj, heterogjeniteti i Vlen-it është mekanizmi përmes të cilit ai kontrollohet.
Sot, Vlen-i shërben si instrument institucional, përmes të cilit një projekt maqedonas merr firmën shqiptare. Institucionet e përbashkëta gradualisht emërtohen “maqedonase”, ndërsa ministrat shqiptarë sigurojnë pamjen e një qeverie multietnike.

