Tahiri-Kurtit: Do t’i ofrojmë votat për president me kusht të miratimit të gjashtë pikave

2 Min. Leximi

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët nuk kanë punë tjetër përveç se të shkojnë në sallën e Kuvendit, e ta bëjnë punën e tyre.

Ai ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit është sikur mos me dashtë të bëhet hapi i parë.

Sipas tij, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka ndalë Kosovën që ta bëjë hapin e parë.

Ka shtuar se Aleanca është pro konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Presidenti. Tahiri ka thënë se do t’i ofrojnë shtatë votat e kësaj partie, nëse plotësohen gjashtë pikat që i ka paraqitur Aleanca.

 

Sipas tij, duke e shtyrë edhe më tej konstituimin e Kuvendit “Kurti mendon se do të na vendos para një akti presioni për zgjedhje me 27 dhjetor. Po 27 dhjetori do të jetë humbja më e madhe që e ka pasur”.

Gjashtë pikat e Aleancës janë: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan; Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit; Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro; Lirim i tokës së punuar nga tatimi në pronë për rritjen e prodhimit vendor; Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull; Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull