Princi i kurorës saudit Mohammed bin Salman dhe shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), adm. Brad Cooper diskutuan mbi përpjekjet për të ulur tensionet rajonale, transmeton Anadolu.
Princi i kurorës priti Cooperin për një takim, njoftoi agjencia zyrtare saudite e lajmeve, pa specifikuar se ku u zhvilluan bisedimet.
Të dy palët diskutuan mbi bashkëpunimin saudito-amerikan në fushat e mbrojtjes, zhvillimet rajonale dhe përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin, shtoi agjencia e lajmeve.
Të enjten, Arabia Saudite njoftoi se 13 vende i ishin bashkuar zyrtarisht një aleance detare shumëkombëshe mbrojtëse, duke shënuar nisjen e saj efektive.
Ministria saudite e Mbrojtjes tha se takimi i tretë i planifikimit i aleancës u mbajt në Komandën e Flotës Perëndimore në qytetin bregdetar të Xhedës, me përfaqësues nga 39 vende që morën pjesë.
Ministria e përshkroi takimin si një “hap kyç” drejt aktivizimit të aleancës.
Ngushtica e Hormuzit ka parë përshkallëzim të tensioneve në mes të luftës SHBA-Iran, duke rritur frikën e ndërprerjeve në transportin detar dhe furnizimet globale të energjisë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të konsoliduar mirëkuptimet mbi lirinë e lundrimit përmes rrugës ujore strategjike.

