Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje do të kishte kuptim vetëm nëse posti i presidentit i takon LDK-së, duke e cilësuar këtë si garanci për balancimin e pushteteve në vend.
Duke komentuar negociatat mes dy subjekteve politike, Bajrami tha se, nga ajo që ka parë në media, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të drejtë po insiston që posti i presidentit t’i takojë partisë së tij.
“Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, domethënë kryetari i LDK-së me të drejtë, m’u duk, që insiston në pozitën e presidentit. Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, u shpreh ajo.
Sipas Bajramit, oferta që, sipas saj, po bën aktualisht Albin Kurti për përfshirjen e LDK-së në qeveri përmes disa ministrive nuk përbën një garanci afatgjatë.
“Por ka edhe marrëveshje të tilla si ajo që po e ofron tani zoti Kurti, me disa pozita në qeveri, të cilat në fakt mund t’i marrë edhe pas disa javësh. Ka edhe marrëveshje të tjera ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit, dhe këtë e konsideroj një balancë të pushteteve për Kosovën. Atëherë, natyrisht, do ta konsiderojmë me shumë seriozitet”, deklaroi Bajrami.
Deputetja e zgjedhur theksoi gjithashtu se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke shtuar se mbështet arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Ajo që mund të them është se jam kategorikisht kundër shkuarjes prapë në zgjedhje, dhe jam për një marrëveshje të mirë, që është marrëveshje e mirë për Kosovën por edhe për LDK-në”, u shpreh deputetja e zgjedhur.

