Mucunski thotë se Qeveria po punon për zgjidhje të përhershme për zhbllokimin e eurointegrimeve, por nuk zbuloi detaje

3 Min. Leximi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, bëri të ditur se Qeveria po punon për zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për zhbllokimin e eurointegrimeve, por nuk ndau detaje të cilat janë pjesë e bisedimeve diplomatike, transmeton Portalb.mk.

Mucunski, në një intervistë për MIA, theksoi se pushteti ka vija të qarta të kuqe dhe qëndrime për çështje për të cilat nuk është i gatshëm të negociojë dhe informoi se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje, e cila nuk do të krijojë rreziqe që vendi të bllokohet sërish në rrugën evropiane.

Mucunski iu drejtua edhe opozitës, së cilën e porositi se ka të drejtë legjitime të japë kritika dhe qëndrime për të gjitha çështjet, përveç politikës së jashtme, ku, sipas tij, janë bërë gabime katastrofike.

Ai thotë se, nëse propozimi francez do të kishte qenë i mirë, nuk do të kishte interpretime të ndryshme se cilat janë obligimet e vendit në të, por do të kishte pasqyrë të qartë se çfarë pritet nga RMV-ja.

“Sot përfaqësuesit e opozitës brenda vendit na thonë se ndryshimet kushtetuese janë e vetmja gjë që kërkohet nga ne, ndërsa ne në takimet tona bilaterale nga përfaqësues zyrtarë të Bullgarisë jemi informuar se nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese ato që kërkohen nga ne, por kërkohen edhe lëshime të ndryshme, ndër të cilat edhe lëshime me karakter historik, ndërsa po ashtu na thuhet se nuk bëhet fjalë vetëm për interpretimin e tyre, por edhe për premtime të dhëna nga përfaqësues të lartë të qeverisë së kaluar ndaj Bullgarisë”, tha Mucunski.

Ministri theksoi se gjatë vitit të fundit vendi ka arritur përparim në pjesën e zbatimit të agjendës reformuese, por se mbeten edhe prioritete për periudhën që pason, siç janë reforma e sistemit gjyqësor dhe e administratës publike.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull