Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, i cili vjen në kohën e debatit të hapur pas reagimeve politike lidhur me ndalimin e disa zyrtarëve shqiptarë në pikën kufitare të Qafë Thanës. Postimi i tij shihet si një përgjigje indirekte ndaj deklaratës së koalicionit VLEN, i cili kishte theksuar se respekton Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si institucion, por kishte bërë dallimin mes institucionit dhe “individëve të caktuar” që, sipas tyre, “u shërbejnë interesave të grupeve politike”.
Në postimin e tij, Meidani ka publikuar fotografi nga një aktivitet me të rinj nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Limani, së bashku me Ogerta Manastirliun dhe zëvendësministren Vilma Premti.
Ambasadori ka bërë të ditur se fjalimin e tij e ka nisur me një mesazh të drejtpërdrejtë për ministrin Limani.
“Bashkë me miqtë e mi, Ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Limanin, Ogerta Manastirliun, dhe zv.ministren Vilma Premti, mes studentëve të mrekullueshëm nga të dy anët e kufirit. Fjalën time e nisa duke i thënë mikut tim, Fatmir Limani: ‘Mirë se erdhe në Shqipëri! Këtu je gjithmonë i mirëseardhur!’ Njëkohësisht e falënderova atë, si edhe familjen e tij patriotike, për kontributin e rëndësishëm dhe të sinqertë që kanë dhënë ndër vite”, ka shkruar Meidani.
Në vijim të mesazhit, ambasadori thekson se debatet politike nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet mes qytetarëve dhe institucioneve, duke vënë në pah rolin e të rinjve si shembull i bashkëpunimit.
“Pavarësisht zhurmës që krijojnë herë pas here individë të caktuar, të rinjtë vazhdojnë të japin shembullin më të mirë: dialogu, miqësia dhe bashkëpunimi janë gjithmonë më të forta se ndasitë artificiale”. Ai shton se bashkëpunimi institucional mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të forcohet.
“Ne do të vazhdojmë ta forcojmë edhe më tej bashkëpunimin institucional dhe miqësinë tonë, përtej çdo zhurme dhe çdo përpjekjeje për të na ndarë”. Në fund të postimit, Meidani falënderon pjesëmarrësit dhe organizatorët e aktivitetit, duke veçuar kontributin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
“Falenderime Ogertës dhe Vilmës për kontributin dhe atmosferën! Falënderim i veçantë për Sara Boden dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë për bashkëorganizimin e këtij kampi dhe për angazhimin e vazhdueshëm në krijimin e hapësirave ku të rinjtë njihen, bashkëpunojnë dhe ndërtojnë miqësi që zgjasin. Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika.”
Postimi i ambasadorit vjen pasi VLEN deklaroi se respekton institucionin e Ambasadës së Shqipërisë dhe komunikimin institucional mes dy vendeve, por kritikoi atë që e quajti angazhim të “individëve të caktuar” në funksion të interesave partiake. Në këtë kontekst, mesazhi i Meidanit, me theksin te mirëseardhja për studentët nga të dyja anët dhe te nevoja për të forcuar bashkëpunimin “përtej çdo zhurme”, është interpretuar si një përgjigje publike ndaj polemikave të ditëve të fundit nga zyrtarë të VLEN-it që sulmojnë çdo ditë ambasadorin shqiptar.

