Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim me drejtoreshën e Agjencionit Nacional për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Ana Mihajlova, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në zbatimin e programeve evropiane, me fokus të veçantë te programi Erasmus+.
“Sot zhvillova një takim me Drejtoreshën e Agjencionit Nacional për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Ana Mihajlova, me të cilën diskutuam mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në zbatimin e programeve evropiane, me fokus të veçantë te Erasmus+.”
Gjatë takimit u trajtuan edhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit të Agjencionit me fondacionet që veprojnë në fushat e arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe sportit, si dhe për zgjerimin e përfshirjes së personave me nevoja të veçanta në programet evropiane. Po ashtu, u vlerësua si i domosdoshëm koordinimi ndërinstitucional për shfrytëzimin sa më efikas të fondeve IPA dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.
“Theksuam rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë për Çështje Evropiane dhe Agjencionit Nacional në realizimin e programeve evropiane dhe shfrytëzimin sa më efektiv të fondeve IPA, në funksion të krijimit të më shumë mundësive për qytetarët dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian”, përfundoi Sali.

