Hamza: Gjithmonë jam i gatshëm të bisedoj me secilin lider

2 Min. Leximi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka arritur në ambientet e Kuvendit të Kosovës për t’u takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të tani që u certifikuan rezultatet”, tha Kurti para se të hynte në takim.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se beson se ky takim do të ketë sukses në procedurat e mëtejme të formimit të institucioneve.

 

Hamza përmendi partneritetin me aleatët dhe rritjen e pagave dhe pensioneve, derisa u pyet se a do të gjendet një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja.

“Qëndrimi im është i qartë. Te unë është gjithmonë konsistenca prezent. Gjithmonë kam deklaruar që s’ka vija të kuqe me partitë politike, gjithmonë jam i gatshëm me bisedu me secilin lider politik në interes dhe në dobi të vendit dhe normalisht që deklarata ime ka qenë publike, ka qenë e qartë”, ka deklaruar Hamza.

Pas Hamzës, Kurti pasdite pritet të takojë edhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Takimi Kurti-Abdixhiku do të zhvillohet në ora 18:00.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues.

LVV ka dalë e para në zgjedhje me 53 mandate, ndërsa PDK ka fituar 22 ulëse, LDK 18 dhe AAK shtatë ulëse në Kuvend.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull