Hoxha: Me mbi 300 projekte infrastrukturore dhe zgjidhje sistemore po ndërtohet kthesa e gjelbër

3 Min. Leximi

Me rastin e dy viteve nga puna e Qeverisë, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mbajti një konferencë për shtyp në të cilën bëri një prezantim të rezultateve të arritura dhe proceseve kapitale të filluara në këtë dikaster, duke vënë theksin tek kontinuiteti institucional dhe stabiliteti në realizimin e politikave.

Në periudhën e kaluar, Ministria ka siguruar mjete dhe ka filluar me realizimin e mbi 300 projekteve infrastrukturore të përmasave të ndryshme, duke përfshirë sisteme moderne të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe stacione të pastrimit në mbarë vendin.

“Këto investime ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qindra mijëra qytetarëve në mbarë vendin. Këto janë themelet e kthesës së gjelbër që po ndërtojmë, ndaj së cilës jemi plotësisht të përkushtuar”, theksoi ministri Hoxha.

Si një nga reformat më të mëdha, në konferencën për shtyp u veçua vendosja e sistemit rajonal për menaxhimin e mbetjeve. Për komunat tashmë është dorëzuar pajisje e rëndësishme komunale dhe mekanizim. Paralelisht po përgatiten thirrjet për ndërtimin e qendrave rajonale në Rusino dhe Novaci dhe stacionet e transferimit, ndërsa procedura për qendrën në Sveti Nikole është fazë të avancuar.

Ky sistem, siç u nënvizua, përfaqëson një zgjidhje afatgjatë për deponitë e egra në shtet.

Në drejtim të luftës kundër ndotjes së ajrit, është prezantuar Ligji i ri për kontrollin e emisioneve industriale, i cili hyn në fuqi vitin e ardhshëm. Për një ajër më të pastër, Ministria po investon në zëvendësimin e sistemeve joekologjike të ngrohjes në objektet publike dhe po rrit intensivisht mbikëqyrjet inspektuese mbi industrinë. Për më tepër, për një transparencë më të madhe, ka filluar përgatitja e Regjistrit Dixhital me të dhëna të qasshme për publikun mbi emisionet industriale.

Në konferencën për shtyp u potencua edhe harmonizimi i legjislacionit со standardet evropiane, para së gjithash përmes Ligjit për aksionin klimatik, i cili është në procedurë parlamentare, si dhe ligjet e reja për natyrën, mjedisin jetësor dhe mbrojtjen e Kënetës së Belçishtës dhe Kënetës së Studençishtës.

Në fund të fjalës së tij, ministri njoftoi se me rebalancin e buxhetit janë rritur mjetet për projektet kapitale, duke përfshirë edhe stacionin e pastrimit të Shkupit.

“Kjo është një garanci se në periudhën e ardhshme nuk do të ketë ngecje në ndërtimin e asaj që ne e konsiderojmë si themel të kthesës së gjelbër.

Parimi kryesor me të cilin udhëhiqemi janë zgjidhjet sistemore, të cilat i zgjidhin problemet në mënyrë të përhershme”, porositi ministri Hoxha.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull