Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës dyditore në Katar, sot ka zhvilluar takim me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, gjatë bisedimeve me kryeministrin e Katarit është konfirmuar niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve dypalëshe dhe është rikonfirmuar përkushtimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të tyre. Theks i veçantë i është kushtuar thellimit të dialogut politik, si dhe bashkëpunimit ekonomik dhe investues, si segmente të rëndësishme të marrëdhënieve të ardhshme ndërmjet dy vendeve.
Bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime edhe për çështjet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, me fokus në situatën në Lindjen e Mesme, mjedisin më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare dhe mundësitë për bashkëpunim më intensiv në kuadër të organizatave shumëpalëshe.
Gjatë takimit është theksuar se vizita do t’i japë një shtysë të re bashkëpunimit të përgjithshëm dypalësh dhe do të hapë mundësi shtesë për realizimin e nismave të përbashkëta.
Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski ka zhvilluar takim edhe me ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme, Sultan bin Saad Al-Muraikhi. Pas takimit janë nënshkruar Marrëveshja ndërmjet qeverive të dy vendeve për përjashtimin nga vizat për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale, Memorandumi për vendosjen e konsultimeve politike dhe Memorandumi i Bashkëpunimit në fushën e edukimit diplomatik.
Siç thuhet në njoftim, me nënshkrimin e këtyre dokumenteve është krijuar një bazë shtesë institucionale për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

