Muamer Abdullai ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik, duke u promovuar me titullin Doktor i Shkencave në Universiteti ‘Shën Qirili dhe Metodi’ në Shkup.
Diploma e doktoraturës iu dorëzua nga rektorja e universitetit, Biljana Angelova, në një ceremoni solemne të mbajtur në Shkup.
Në reagimin e tij pas ceremonisë, Abdullai e cilësoi këtë si një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tij akademik. Ai falënderoi familjen, miqtë dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo arritje është fryt i përkushtimit dhe punës së palodhur.
“Ky është një moment i veçantë, rezultat i përkushtimit dhe mbështetjes së familjes, miqve dhe kolegëve, për të cilët jam thellësisht mirënjohës”, u shpreh Abdullai.
Ai shtoi se fitimi i titullit Doktor i Shkencave do ta motivojë të vazhdojë angazhimin dhe kontributin e tij në fushën akademike dhe profesionale.

