Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka njoftuar se ka zhvilluar takimin e radhës me shefat e misioneve të Bashkimit Evropian, ku janë prezantuar rezultatet e arritura në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe është riafirmuar përkushtimi për avancimin e procesit eurointegrues.
“Sot zhvilluam takimin e radhës me Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian, në vazhdën e dialogut të rregullt ndërmjet Qeverisë dhe partnerëve tanë evropianë.
Prezantuam progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke theksuar rezultatet e arritura në forcimin e administratës publike, menaxhimin e financave publike, tranzicionin digjital dhe të gjelbër, arsimin, zhvillimin e sektorit privat dhe sundimin e ligjit.
Ky progres është rezultat i përkushtimit të institucioneve tona dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Mbetemi të fokusuar në përmbushjen e reformave të ardhshme dhe në avancimin e rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Faleminderit Bashkimit Evropian, Delegacionit të BE-së dhe shteteve anëtare për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme”, deklaroi Sali.

