Më shumë se 220 shatërvanë për ujë të pijshëm janë vënë sërish në funksion nëpër Shkup, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski përmes një postimi në Fejsbuk.
Ai theksoi se qyteti duhet të sigurojë kushte bazë për qytetarët, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur temperaturat e larta e rrisin nevojën për qasje në ujë të pijshëm.
“Prej vitesh, për shkak të mosazhurnimit, defekteve të vogla dhe neglizhencës, një pjesë e madhe e shatërvanëve ishte lënë jashtë funksionit. Në koordinim me NP ‘Ujësjellës dhe Kanalizim’ i kemi identifikuar, servisuar dhe i kemi vënë sërish në funksion më shumë se 220 shatërvanë për ujë të pijshëm”, deklaroi Gjorgjievski.
Sipas tij, shatërvanët e rinovuara do të jenë në dispozicion për fëmijët, qytetarët e moshuar, sportistët, çiklistët, rekreativët, punëtorët, turistët dhe të gjithë ata që lëvizin çdo ditë nëpër qytet.
Kryetari i qytetit njoftoi se, përveç rinovimit të atyre ekzistuese, po punohet edhe për vendosjen e shatëvanëve të reja në disa lokacione më frekuentuese në Shkup.
“Ky është kthimi i rendit, kujdesit dhe funksionalitetit në qytet. Shkupi duhet të jetë një qytet i pastër, i rregullt, i qasshëm dhe human. Vazhdojmë me punë deri në çdo detaj, për çdo qytetar”, porositi Gjorgjievski.

