Numri i viktimave pas tërmeteve në Venezuelë ka shkuar në 589, ndërsa 2,980 persona kanë mbetur të plagosur, sipas presidentes në detyrë, Delcy Rodríguez. Përditësimi vjen ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur më shumë persona të bllokuar nën rrënoja gjatë “dritares së artë” kritike prej 72 orësh pas tërmetit. Numri i viktimave pritet të rritet ndjeshëm ndërsa ekipet e kërkimit vazhdojnë të gjejnë trupa dhe të mbijetuar.
“Po vazhdojmë pa pushim përpjekjet tona për të shpëtuar jetë”, tha Rodríguez për transmetuesin shtetëror të Venezuelës, duke vlerësuar gjithashtu mbërritjen e ndihmës ndërkombëtare dhe ekipeve të emergjencës. “Kemi shpëtuar dhjetëra jetë”, shtoi presidentja. Zonat më të prekura janë La Huira dhe Morón, ku banorët dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar mes rrënojave, shpesh duke gërmuar me duar për shkak të mungesës së makinerive të rënda. Në shumë raste, nga rrënojat po nxirren si të plagosur ashtu edhe viktima.
Ministri i Shëndetësisë, Carlos Alvarado, konfirmoi se numri zyrtar i viktimave ka shkuar në 235, por pranoi se shumë persona rezultojnë ende të zhdukur. Sipas modeleve të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), ekziston frika se numri i viktimave mund të kalojë edhe 10 mijë, në varësi të situatës në zonat ku ekipet ende nuk kanë arritur.

