Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka vlerësuar se rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut konfirmon se perspektiva evropiane e vendit mbetet e fortë dhe e qartë.
Përmes një postimi publik, Sali theksoi se mbështetja për Marrëveshjen e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës shqipe dhe karakterin multietnik të shtetit përbëjnë mesazhe të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit.
Ai nënvizoi se rezoluta njëkohësisht dërgon edhe mesazhe të qarta për nevojën e vazhdimit të reformave, forcimit të luftës kundër korrupsionit, si dhe mbrojtjes nga dezinformimi dhe ndikimet anti-evropiane.
“Rruga drejt Bashkimit Evropian vazhdon me përgjegjësi, reforma dhe bashkëpunim”, ka shkruar Sali.
Ndërkaq, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, ditë më parë ka deklaruar se vendi duhet të marrë njohje konkrete për proceset reformuese dhe përparimin që ka arritur në rrugën drejt integrimit evropian, duke vlerësuar angazhimet e deritanishme në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.

