“Atdheu nuk është në shitje”, vazhdon në Tiranë protesta për Zvërnecin

2 Min. Leximi

Për të dytën ditë me radhë mijëra qytetarë kanë protestuar në Tiranë, në mbrojtje të Zvërnecit në Vlorë ku ditë më parë u lëndua një qytetar pasi e kundërshtoi ndërtimin e një resorti në atë pjesë bregdetare.

Në rrjetet sociale u publikua një video, që tregonte një punonjës të një kompanie private të sigurisë që goditi një protestues, ndërsa dy të tjerë e tërhoqën zvarrë atë për disa metra.

Zona ku kanë nisur punimet për ndërtimin e resortit është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo konsiderohet ndër habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe migratorët, përfshirë dhe flamengot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili në mars të vitit 2024 deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Për këtë projekt, qytetarët në Tiranë dolën sërish në protestë, në ditën e dytë më radhë.

Protestuesit janë grumbulluar fillimisht para Ministrisë së Brendshme dhe më pas kanë shkuar përpara Kryeministrisë.

Në duar mbajnë pankarta me mesazhe si “Atdheu nuk është në shitje” dhe slogane të forta politike, raporton Top Channel.

Ky është tubimi i dytë radhazi pas thirrjeve të shpërndara përmes rrjeteve sociale.

Një ditë më parë, qytetarë marshuan nga Drejtoria e Policisë së Tiranës drejt Ministrisë së Brendshme dhe përfunduan para Kryeministrisë, duke treguar angazhimin e fortë të qytetarëve për çështjet mjedisore dhe ruajtjen e hapësirave të mbrojtura.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull