Qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar ministrit të Financave ta dizajnojë pakon për përballje me inflacionin.
“Pakon për përballje me inflacionin 2.0 që e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot me masat: Mbështetje e njëhershme prej 100 euro për pensionistë, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për fëmijët, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik, mbështetje prej 100 eurosh për studentët aktivë. Pagesat për familjet përfituese t’i bëjmë në fillim të javës që vjen”, ka thënë ai.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe rritjen e shtesave për lehonat.
“Nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona. Derisa me qeverisjet e kaluara shtesat për lehona ishin zero, për herë të parë e nisëm duke paguar nga 170 euro për 6 muaj për lehonat e papuna dhe tre muaj për të punësuara. Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, kurse në maj vitin e kaluar i rritëm në 325 euro. Sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 korriku bëhet 500 euro. Edhe në këtë maj po i rrisim shtesat për lehona, nga 325 në 500 euro në muaj”, ka thënë Kurti.
Mjetet financiare për pensionistët dhe fëmijët do të ndahen javën e ardhshme, kurse punonjësit e sektorit privat do të duhen të aplikojnë për të përfituar më pas.

