Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dinari serb nuk është zyrtarisht “i ndaluar” në Kosovë, por ka theksuar se vetëm euro është monedha e ligjshme për transaksionet tregtare.Këto komente Kurti i bëri gjatë një interviste për AFP.“Ne nuk po i ndalojmë dinarët e Serbisë, njerëzit mund të kenë dinarë, por mjeti i vetëm i pagesës është euro”- tha Kurti, duke theksuar se serbët e Kosovës nuk do të ndëshkohen për mbajtjen e valutës serbe.Deklaratat e tij erdhën pasi Serbia akuzoi Qeverinë e Kosovës për bllokimin fizik të një dërgese dinarësh në kufi të mërkurën.Zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndër të tjera parasheh që monedha e vetme e ligjshme për pagesa në Kosovë euro, ka ngjallur reagime të ndryshme.Diplomatët perëndimorë dhe organizata e institucione të ndryshme po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së, e cila ka nisur të zbatohet nga 1 shkurti.Madje, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, paralajmëroi dje se do të ketë pasoja në raportet SHBA-Kosovë nëse nuk merret parasysh kërkesa e Qeverisë amerikane për të shtyrë zbatimin e Rregullores.Lidhur me çështjen e zbatimit të Rregullores, Hovenier bashkë me ambasadorin e BE-së në Kosovë kanë “vizituar” guvernatorin e BQK-së.
Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje.“Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai.Ismaili, ka shpjeguar Rregulloren e re për operacionet me para të gatshme.Guvernatori tha se kjo Rregullore nuk e ndalon transferimin e parave nga asnjë shtet por se ato duhet të jenë në euro.Ai tha se qytetarët serbë në Kosovë mund të pranojnë para në valutën euro nga Serbia në llogaritë e tyre bankare.