Janez Jansha nominohet për kryeministër të Sllovenisë, sigurohet mbështetja për shumicën në parlament

2 Min. Leximi

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike Sllovene (SDS) nominuan kreun e partisë Janez Jansha për kryeministër të Sllovenisë, me mbështetjen e 48 deputetëve në Kuvendin Popullor, raporton Anadolu.

Për zgjedhjen e kryeministrit nevojitet shumicë absolute prej 46 votash në parlamentin me 90 deputetë, ndërsa votimi mund të mbahet të premten.

Sipas agjencisë STA, pritet që Jansha të formojë qeverinë e tij të katërt në aleancë me partitë e qendrës së djathtë, përfshirë “Nova Slovenija”, si dhe me mbështetjen e partisë “Resnica”.

Jansha deklaroi se organet partiake të SDS-së kanë konfirmuar marrëveshjen e koalicionit me disa parti opozitare, me çka janë përmbushur kushtet për paraqitjen e kandidaturës. Ai shtoi se nënshkrimi i marrëveshjes pritet deri në fund të javës, pas së cilës do të pasojë marrëveshja për ndarjen e resorëve në qeverinë e re.

Marrëveshjen e koalicionit tashmë e kanë mbështetur “Nova Slovenija”, Demokratët, Partia Popullore Sllovene dhe Fokus.

Koalicioni i ardhshëm aktualisht disponon me 43 vota, por Resnica ka njoftuar se do ta mbështesë Janshën edhe gjatë votimit për mandatarin.

Jansha deri më tani tri herë ka ushtruar funksionin e kryeministrit, por vetëm një herë ka përfunduar mandatin e plotë. Nëse konfirmohet, kjo do të jetë qeveria e tij e katërt dhe e para me orientim të qartë politik të djathtë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull