Xhezair Shaqiri: Kërkesat e studentëve janë legjitime, por “aty ku është Dreqi nuk përzihem”

2 Min. Leximi

Ish-ushtari i UÇK-së dhe figura e njohur publike, Xhezair Shaqiri, ka reaguar lidhur me protestat e studentëve shqiptarë për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, shkruan Zyrtare.net

Në një postim në rrjetet sociale, Shaqiri tha se shumë qytetarë e kanë pyetur pse nuk është prononcuar publikisht në mbështetje të protestës, ndërsa u shpreh se nuk dëshiron të përzihet në turma ku, sipas tij, ndodhen persona që në të kaluarën kanë dëmtuar interesat shqiptare.

Ai akuzoi ish-pushtetarët shqiptarë se nuk e kanë implementuar Marrëveshjen e Ohrit në afatet e përcaktuara dhe se kanë shkaktuar “dëme e skandale të gjitha llojeve”.

“Me gjithë respektin për studentët shqiptarë dhe kërkesat e tyre legjitime, deri sa i lejoni në mesin tuaj ata që kanë bërë dëme të mëdha, do të keni vetëm probleme”, shkroi Shaqiri.

Sipas tij, provokimet dhe incidentet mund të organizohen për interesa politike, ndërsa shtoi se në këtë periudhë “asnjë incident nuk do t’i konvenonte Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Shaqiri theksoi se kërkesat e studentëve janë të drejta, por njëkohësisht fajësoi politikanët e mëparshëm për, siç tha, “cungimin e Marrëveshjes së Ohrit”, duke shtuar se pushteti aktual po përballet me vështirësi në riparimin e dëmeve të krijuara ndër vite.

Në fund të reagimit, ai kritikoi edhe klasën politike shqiptare në përgjithësi, duke vlerësuar se shqiptarët në rajon janë të përçarë jo për interesa kombëtare, por për interesa biznesore dhe politike./ZYRTARE.net

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull