Ridvan Azizi: Protestat e studentëve lidhen me trashëgiminë e “parti-shtetit” dhe rënien e BDI-së

2 Min. Leximi

Studiuesi nga Maqedonia e Veriut Ridvan Azizi ka komentuar zhvillimet e fundit rreth protestave të studentëve shqiptarë, duke i lidhur ato me dinamikat politike dhe ndryshimet në pushtet në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, përcjell Zyrtare.net

Azizi thekson se provimi i jurisprudencës nuk është zhvilluar asnjëherë në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një fakt të njohur dhe të pazgjidhur prej kohësh. Sipas tij, reagimi i studentëve vjen në një moment të rëndësishëm shoqëror, por nuk duhet parë si një zhvillim i izoluar.

Ai argumenton se protestat e fundit të studentëve shqiptarë, në mënyrë direkte ose të tërthortë, lidhen me ndryshimet politike dhe humbjen e pushtetit nga BDI. Sipas Azirit, pas daljes në opozitë, BDI ka humbur edhe “legjitimitetin moral” për të artikuluar kritika të hapura, pasi – siç shprehet ai – publiku mund të pyesë pse këto çështje nuk janë zgjidhur gjatë 20 viteve qeverisje.

Në analizën e tij, Aziri shprehet se mungesa e veprimit të drejtpërdrejtë politik ka shtyrë aktorë të caktuar të përdorin “mekanizma të tjerë ndikimi” në shoqëri. Ai pohon se për dy dekada është instaluar një model i “parti-shtetit”, ku sipas tij kontrolli politik ka depërtuar në institucione të ndryshme, përfshirë edhe ato akademike dhe studentore.

Kjo situatë, sipas tij, ka ndikuar në mungesën e emancipimit të plotë shoqëror dhe zhvillimeve më të thella politike në mesin e shqiptarëve.

Duke iu referuar partisë në pushtet, Aziri i jep edhe një mesazh VLEN-it, duke theksuar se nuk duhet të përsëritet modeli i kapjes së institucioneve. Sipas tij, studentët dhe bota akademike duhet të mbeten të pavarura dhe të lirë në artikulimin e problemeve.

Ai përfundon se vetëm një shoqëri kritike dhe e pavarur, e kombinuar me një politikë që dëgjon dhe zgjidh probleme, mund të sjellë përparim real për çështjet shqiptare dhe sukses politik në përgjithësi./Zyrtare.net/

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull