Kantieri i ndërtimit në Kisella Vodë ku humbi jetën një punëtor nuk ishte i siguruar

2 Min. Leximi

Inspektorati Shtetëror i Punës ka konstatuar shkelje serioze në sigurinë në punë në kantierin ndërtimor në lagjen Kisella Vodë në Shkup, ku humbi jetën një punëtor 34-vjeçar nga Kriva Pallanka, ndërsa tre kolegë të tij u plagosën, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse të gjithë punëtorët e angazhuar kanë qenë në marrëdhënie pune te nënkontraktori, sipas gjetjeve të Inspektoratit, nuk janë ndërmarrë masat bazë të sigurisë.

“Nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë është konstatuar se nuk janë ndërmarrë masa kolektive mbrojtëse, përkatësisht nuk është bërë përforcimi i skajeve të gropës së themeleve apo ndonjë mënyrë tjetër për mbrojtje nga shembja e dheut, çka është edhe shkaku i aksidentit”, njoftuan nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Për shkak të parregullsive të konstatuara, është shqiptuar ndalim verbal i punimeve në kantier, i cili mbetet në fuqi derisa të eliminohen shkaqet e aksidentit dhe të sigurohen të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve.

Nga investitori dhe kontraktori është kërkuar të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë.

Të hënën inspektorët do të kryejnë kontroll të dytë, ndërsa pritet që të martën të marrin dokumentacionin edhe nga kompania kontraktuese “Kompanija Jakimovski” dhe nga investitori “NAR Investment”.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike vazhdon hetimet për të përcaktuar rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti, ndërsa është dhënë urdhër edhe për autopsinë e punëtorit të ndjerë. Personat e lënduar, të moshës 35 deri në 45 vjeç, janë të shtruar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ku gjendja e tyre po monitorohet.

Pronari i kompanisë që është investitor është ish-kryetari i komunës së Aerodromit, Ivica Konevski.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull