Dy incidente ndaj inspektorëve policorë të Kumanovës janë shënuar ditëve të fundit. TV21 mëson se pas mesnatës të së martës është djegur vetura, që në përdorim e kishte V.M. kryeinspektor i krimeve kompjuterike në SPB-Kumanovë. Si pasojë është djegur edhe vetura tjetër që ishte e parkuar pranë. Nga Ministria e Brendshme dyshojnë se zjarri është i qëllimshëm dhe kanë nisur hetimin ndaj autorëve.
“Më 21.04.2026 në orën 01:11 në rrugën ‘Nikola Vapcarov’ të Kumanovës iu është vënë zjarri automjeteve të parkuara të pasagjerëve ‘Volkswagen Tiguan’ me targa të Kumanovës, në pronësi të A.S., dhe të dhëna në përdorim për V.M. nga Kumanova si dhe automjeti tjetër ‘Opel’ me targa të Kumanovës, në pronësi të E.F. nga Kumanova. Zjarri është shuar nga Njësia e Zjarrfikësve të Kumanovës, dhe nuk ka pasur të lënduar. Një ekip nga SPB Kumanovë ka kryer inspektim”, njofton MPB.
Po ashtu, nga burime jo zyrtare TV21 mëson që javës së kaluar një inspektor tjerë nga SPB-Kumanovë është therur me thikë përderisa ishte jashtë detyrës, në prani të familjes gjatë një pikniku në afërsi të Pendës së Likovës. Inspektori Sh.R. është jashtë rrezikut për jetë dhe po merr mjekimin e duhur. Nga MPB nuk japin detaje për ngjarjen, por e konfirmuan duke thënë se kanë filluar hetimet.
“Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e rastit dhe si rrjedhojë do të dorëzohen të gjitha gjetjet përkatëse në Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës”, njoftoi MPB.
Nga Policia nuk japin shpjegime nëse të dy rastet kanë lidhshmëri, motivet apo edhe nëse autorët janë i njëjti. Thonë se kanë mbledhur provat materiale nga terreni dhe pamjet nga kamerat mbikëqyrëse si dhe kanë marrë në bisedë informative dëshmitarët okularë./TV21

