Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Gostivar ka nisur procesin e riorganizimit, në funksion të forcimit të strukturave partiake dhe rritjes së efikasitetit në terren.
Lajmin e bëri të ditur përfaqësuesi i partisë, Valdet Xhaferi, i cili theksoi se procesi po zhvillohet me seriozitet dhe me përfshirje të gjerë të anëtarësisë, me synimin për ta bërë degën më funksionale, më të hapur dhe më pranë qytetarëve.
Sipas tij, në takimin e fundit janë prezantuar në detaje edhe pikat kyçe të marrëveshjes me partnerët e koalicionit në Gostivar, duke u fokusuar në drejtimet strategjike, objektivat konkrete dhe përgjegjësitë e subjektit politik.
“Diskutimet ishin konstruktive, me ide dhe propozime konkrete që do të shërbejnë si bazë për veprimet tona të ardhshme”, deklaroi Xhaferi.
Ai shtoi se energjia pozitive dhe gatishmëria për angazhim dëshmojnë se struktura lokale është në rrugën e duhur, ndërsa theksoi se dega e BDI-së në Gostivar po hyn në një fazë të re organizimi dhe mobilizimi politik.
Në fund, Xhaferi nënvizoi se me punë, përkushtim dhe unitet, strukturat e partisë do të vazhdojnë drejt realizimit të objektivave dhe përfaqësimit dinjitoz të interesave të qytetarëve.

