Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët e përfshirë në luftën në Iran, por bazat amerikane vijojnë të përdoren

1 Min. Leximi

Qeveria spanjolle ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për avionët e përfshirë në operacionin ushtarak “Epic Fury”, të nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit.

Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi në Kongres se “të gjitha planet e fluturimit që lidhen me operacionet në Iran janë refuzuar, përfshirë ato për furnizimin me karburant të avionëve”.

Vendimi përjashton vetëm rastet emergjente, ku avionët mund të autorizohen për tranzit ose ulje. Megjithatë, bazat amerikane në Rota dhe Morón vazhdojnë të përdoren për misione të tjera të parashikuara nga marrëveshja dypalëshe me Uashingtonin, si mbështetja logjistike për trupat amerikane të vendosura në Evropë.

Sipas burimeve ushtarake, Spanja ka refuzuar edhe përdorimin e hapësirës ajrore nga avionë cisternë të stacionuar në vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Si pasojë, rreth 15 avionë KC-135 janë zhvendosur drejt bazave në Francë dhe Gjermani.

Ndërkohë, pesë shkatërrues amerikanë të klasit “Arleigh Burke” të vendosur në bazën detare të Rota-s po luajnë rol mbrojtës në Mesdheun Lindor, duke ndihmuar në interceptimin e raketave balistike të lëshuara nga Irani kundër Izraelit dhe Turqisë.

/rtsh.al/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull