Problemet nuk kanë të sosur për trajnerin e Kombëtares,Sylvinho, në prag të ndeshjeve vendimtare të “play-off”-it.
Përveç mungesave të rëndësishme si Rey Manaj dhe Medon Berisha, tekniku kuqezi duhet të menaxhojë edhe gjendjen jo optimale të disa lojtarëve që sapo janë rikthyer nga dëmtimet, si Armando Broja dhe Arbër Hoxha.
Së fundmi, një tjetër alarm vjen nga Italia dhe lidhet me kapitenin Berat Gjimshiti.
Mbrojtësi i Atalanta nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës përpara sfidës ndaj Bayern Munich, duke u kufizuar vetëm në punë në palestër. Kjo situatë ka ngritur dyshime serioze për gjendjen e tij fizike.
Megjithatë, pavarësisht këtij problemi, Gjimshiti ka udhëtuar me ekipin drejt Mynihut, çka tregon se prania e tij nuk është përjashtuar plotësisht.
Gjendja e kapitenit mbetet një pikë kyçe për stafin kuqezi, që do ta monitorojë nga afër në ditët në vijim.
Edhe pse përfshirja e tij në listën zyrtare pritet të jetë e sigurt, forma fizike e Gjimshitit mbetet një enigmë e madhe përpara përballjes vendimtare ndaj Polonisë, ku eksperienca dhe roli i tij në mbrojtje konsiderohen thelbësore.

