Tre skiatorë kanë humbur jetën nga një ortek në qendrën alpine franceze Val-d’Isere, derisa autoritetet paralajmëruan për një shtresë bore “shumë të paqëndrueshme” pas reshjeve të mëdha të shkaktuara nga stuhia Nils, transmeton Anadolu.
Zyrtarët lokal thanë se orteku ndodhi rreth orës 11:30 me kohën lokale në një zonë jashtë pistave të shënuara në luginën Manchet, që përfshiu gjashtë skiatorë.
Siç raportoi BFMTV, Prokuroria në Albertville njoftoi se në incident humbën jetën një shtetas francez dhe dy shtetas britanikë, ndërkohë është hapur një hetim.
Prokurori Benoit Bachelet tha se një nga viktimat, skiatori francez, po skijonte i vetëm. Dy viktimat britanike ishin pjesë e një grupi prej pesë personash të shoqëruar nga një instruktor profesionist, i cili nuk u lëndua. Një tjetër anëtar i grupit pësoi lëndime të lehta dhe u shtrua në spital në Bourg-Saint-Maurice.
Drejtori i resortit të skive Val-d’Isere, Cedric Bonnevie, tha se ekipet e shpëtimit arritën të lokalizojnë shpejt dy nga viktimat, pasi ato ishin të pajisura me sinjalizues orteku dhe pajisje të tjera sigurie. Viktima e tretë u gjet më vonë, pasi mbetjet e ortekut arritën në një përrua.
“Besojmë se sinjalizuesi i ortekut nuk funksiononte më, pasi viktima u gjet në ujë”, tha Bonnevie.
Një skiator i katërt u mbulua përkohësisht nga bora, por arriti të mbijetojë.
Më herët gjatë ditës, autoritetet thanë se rreziku nga ortekët ishte vlerësuar në nivelin 4 nga gjithsej 5. Prefektura Savoie u bëri thirrje vizitorëve të shmangin skijimin jashtë pistave, turet me ski dhe ecjet me këpucë bore, duke kërkuar respektim të rreptë të udhëzimeve të sigurisë.
Ngjarja ndodhi një ditë pasi stuhia Nils, sipas Meteo-France, solli nga 60 deri në 100 centimetra borë të freskët në disa pjesë të Alpeve.
Meteo-France gjithashtu ka paralajmëruar se shtresa e borës mbetet “shumë e paqëndrueshme”, veçanërisht mbi lartësitë 1.800 deri në 2.000 metra.

