Murseli kërkon të flasë me fëmijët në Suedi, i refuzohet komunikimi me Behgjet Pacollin

2 Min. Leximi

I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes, Naim Murseli, ka kërkuar nga Gjykata që t’i lejohet komunikimi me fëmijët e tij, të cilët ndodhen në Suedi.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, gjatë seancës të së mërkurës ku Murseli po vazhdon të japë mbrojtjen bëri të ditur se lidhur me këtë kërkesë janë duke u zhvilluar bisedime me autoritetet suedeze dhe se çështja është në shqyrtim.

Po ashtu, Murseli ka kërkuar të bisedojë edhe me biznesmenin Behgjet Pacolli, por kjo kërkesë nuk është aprovuar nga Gjykata. Murseli më herët ka qenë këshilltar i Pacollit.

Sipas njoftimit, atij i është refuzuar edhe kërkesa për komunikim me dhëndrin e tij.

Naim Murseli bashkë me Granit Plavën e Kushtrim Kokallën akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë. E Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “Vrasje e rëndë”.

I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull