Artikull i përditësuar në orën 19:29 – Protesta e Partisë Demokratike para Kuvendit të Shqipërisë është përcjellë me tensione. Protestuesit janë përplasur me policinë që ka përdorur gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën. Ndërkaq protestuesit raportohet se po hedhin gurë drejt policisë që është e vendosur para objektit të Parlamentit.
Pas molotovëve drejt Kryeministrisë, PD-ja zhvendos protestën te Kuvendi
Artikull i përditësuar në orën 19:02 – Partia Demokratike e ka zhvendosur protestën te Kuvendi i Shqipërisë, pasi protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarrë në drejtim të objektit të Kryeministrisë. Kjo ndodhi pas fjalimit të Sali Berishës. Policia ka përdorur gaz lotsjellës.
PD-ja proteston para Qeverisë, kërkon rrëzimin e Ramës
Partia Demokratike në Shqipëri ka nisur para objektit të Kryeministrisë një protestë përmes së cilës ka kërkuar largimin e Qeverisë dhe vendosjen e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Kjo protestë organizohet pas pretendimit të opozitës për dallavere në zgjedhjet e 11 majit të vitit të shkuar.
Siç kanë raportuar mediat në Shqipëri, rreth 1600 policë kanë rrethuar hapësirën ku po protestohet.
Protestës i prin kryetari i PD-së Sali Berisha që ka bërë thirrje që qytetarët “t’i bëjnë gjyqin” kryeministrit Edi Rama.

