Kah fundi i vitit të kaluar disa media në Maqedoninë e Veriut transmetuan një shkrim nga Euronews Albania, në të cilin pretendohet se në dekadën e fundit numri i shqiptarëve po rritet, ndërsa numri i maqedonasve po bie. Teksti shpejt u kthye në një narrativ që shkaktoi gjuhë urrejtjeje në komentet në rrjetet sociale dhe sensacionalizëm, shkruan Portalb.mk.
Sipas shkrimit të Euronews Albania dhe shkrimeve të transmetuara në mediat në Maqedonipa u cituar burimi i të dhënave, te komuniteti maqedonas është shënuar shtim natyror negativ prej 7.919 njerëzish, ndërsa te ai shqiptar ka shtim natyror pozitiv prej 2.164 njerëzish.
Por, të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave, të cilat i analizuam, tregojnë një trend ndryshe. Pra, duke i marrë parasysh të dhënat në 15 vitet e fundit, nga viti 2010 deri në vitin 2024, numri i fëmijëve të lindur të gjallë ka shënuar rënie si tek popullata maqedonase, ashtu edhe tek ajo shqiptare, ndërsa numri i të vdekurve është relativisht i njëjtë me përjashtim të periudhës së pandemisë së COVID-19, kur si te maqedonasit ashtu edhe te shqiptarët u shënuan më shumë raste të vdekjes.
Rënia e numrit të lindjeve të gjalla te popullata maqedonase në këto 15 vjet është rreth 45 përqind, ndërsa te popullata shqiptare është rreth 30 përqind.
Ky trend vihet re sidomos në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024, kur numri i të lindurve tek të dyja grupet etnike u afrohet vlerave më të ulëta të 15 viteve të fundit. Në fakt, me kalimin e viteve të dyja komunitetet kanë regjistruar një rënie konstante të numrit të lindjeve.
Të dhënat e konfirmojnë realitetin se rënia e natalitetit është një trend i përbashkët shumëvjeçar dhe prek të dyja komunitetet etnike. Shifrat, të cilat shkrimi i Euronews Albania dhe shkrimet e transmetuara në gjuhën maqedonase nuk e citonin fare burimin, edhe pse thuhet se i referohen dekadës së fundit ato në fakt janë shifra që janë shënuar vetëm në vitin 2024. Përdorimi vetëm i atij viti krijon përshtypjen se për shkak se numri i fëmijëve të lindur gjallë te njëri komunitet rritet, te tjetri bie, gjë që nuk e pasqyron tendencën reale afatgjatë dhe mund të nxisë sensacionalizëm ose tension ndëretnik.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës numri i personave të vdekur sipas gjinisë dhe përkatësisë etnike nga viti 2010 deri në vitin 2024 është relativisht i njëjtë në nivel vjetor, me përjashtim të viteve 2020 dhe 2021 kur për shkak të pandemisë u shënua rritje e numrit të të vdekurve.
Për hir të së vërtetës të dhënat tregojnë se në 15 vitet e fundit popullata maqedonase regjistron vazhdimisht shtim natyror negativ, ndërsa te popullata shqiptare ai vazhdon të jetë pozitiv, por në një linjë të rënies të qartë dhe të përshpejtuar. Edhe pse tek maqedonasit në vite të caktuara regjistrohen lëkundje të vogla, tendenca e përgjithshme mbetet negative, gjë që flet për një rënie demografike afatgjatë. Në të njëjtën kohë shtimi natyror te shqiptarët në vitet e fundit është pothuajse përgjysmuar në krahasim me periudhën paraprake, gjë që tregon se edhe te ky komunitet vihet një dobësim gradual i dinamikës demografike.
Etnizimi i të dhënave demografike e paraqet rënien e natalitetit si një “rritje” dhe një “rënie” midis komuniteteve të ndryshme etnike, edhe pse trendet afatgjata tregojnë qartë se bëhet fjalë për një proces të përbashkët dhe shumëvjeçar që prek të gjitha komunitetet jo vetëm në Maqedoni, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dobësia kryesore metodologjike e pohimeve të tilla është fakti se shtimi natyror pozitiv në një vit nuk do të thotë rritje afatgjatë e popullsisë, ndërsa veçimi selektiv i një viti të tillë paraqet një shembull klasik të përdorimit manipulativ të të dhënave statistikore.
Ky rast ilustron përdorimin sensacionalist të të dhënave të sakta për të nxjerrë përfundime të shtrembëruara, me ç’rast injorohet pasqyra më e gjerë demografike dhe sfidat e përbashkëta strukturore. Përveç kësaj, edhe pse në të dhënat mund të vihet re një korrelacion mes trendeve te komunitetet e ndryshme, nuk ekziston kauzalitet, zvogëlimi i numrit të maqedonasve nuk është pasojë e rritjes së numrit të shqiptarëve, por rezultat i faktorëve më të gjerë si nataliteti i zvogëluar, shpërngulja, plakja e popullsisë dhe kushtet socio-ekonomike.

