Prokuroria nuk jep detaje të reja lidhur me hetimin ndaj gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov për të cilin një ditë më parë informoi se në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, gjatë bastisjes janë gjetur 350 mijë euro të fshehura në një hapësirë të veçantë në mur ose siç quhen nëpër filmat “narko”, bunker special për të fshehur gjësende. Paratë dyshohet se i ka fituar në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet veprimeve korruptive dhe tregtimit me ndikim. Dyshimet e para sipas Prokurorisë janë hapur në dhjetor të vitit të kaluar, pasi u arrestua për ryshfet avokati Fehmi Stafa. Sipas Prokurorisë, Stafa kishte kërkuar 100 mijë euro, por kishte marrë 50.000 mijë, për ta korruptuar gjykatësin Gjoko Ristov. Aksioni i koordinuar nga Prokuroria është udhëhequr nga Policia Financiare dhe është mbështetur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Autoritetet, e quajtën si një ndër më të ndërlikuarit në historinë e vendit, për çka ka dhënë informata dhe raportime edhe shërbimi sekret, respektivisht Agjencia për Siguri Kombëtare.
“Në bazë të urdhrit që prokurori publik e ka kërkuar dhe ka siguruar nga gjykata përkatëse sot është kryer bastisje e detajuar në një lokacion në Negotinë, te shtëpia e prindërve të gjykatësit tanimë të dyshuar, ku të fshehura në mur deri tani janë gjetur 350 mijë euro, për të cilat ekziston dyshimi se janë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe janë fshehur. Bastisjet dhe veprimet tjera hetuese vazhdojnë”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.
Megjithatë, Policia dhe Prokuroria nuk tregojnë nëse Ristov është i kapshëm për organet e rendit dhe nëse do të kërkohet paraburgim. Pasi që Ristov ka imunitet gjykatësi, për paraburgimin eventual të tij duhet të ndiqet procedurë e veçantë, gjykata duhet kërkojë nga Këshilli Gjyqësor që fillimisht t’ia heqin imunitetin. Kërkesë të tillë, deri tani nuk është dërguar dhe në rrethana të këtilla, ai mbetet në liri. Jo zyrtarisht, prej kur është hapur hetimi për Fehmi Stafën, Ristov nuk ka përdorur telefon celular, ndërsa para një jave ka shkuar në pushim mjekësor. Prej atëherë, nuk është paraqitur në punë. Ndryshe, Ristov mbahet mend për veprimin e tij në njërën prej lëndëve më të njohura në opinion, “Target-Fortesa” e cila ka të bëjë me përgjimin masiv të pushtetit të Nikolla Gruevskit, në të cilin i akuzuar ishte ish shefi i Policisë Sekrete Sasho Mijallkov dhe disa persona të tjerë të shërbimit sekret. Megjithatë, aktgjykimin që e shpalli Ristov e rrëzoi Gjykata e Apelit dhe lënda më pas u vjetrua pasi gjykatësi Enver Bexheti nëntë muaj e ruajti në sirtar. Ristov, së bashku me Bexhetin gjithashtu mundësuan që Mijallkov të lirohet nga paraburgimi për lëndën “Thesari”. Mijallkov për disa ditë ishte në arrati, ndërsa më pas befas u paraqit dhe tha se nuk ka qenë i kapshëm për organet pasi ka qenë i sëmurë me kovid. Pjesë e trupit gjykues në Apel ishte edhe për rastin “Alfa”. Ai ishte një ndër tre gjykatësit që vendosi të mos kthehet sërish në gjykim ky rast, për të cilin në opinion ka dyshime se është i montuar. Ristov ka qenë gjithashtu pjesë e trupit gjykues që shfuqizoi paraburgimin për ish sekretarin e Qeverisë, Dragi Rashkovski. Gjykatës raportues ishte edhe në lëndën e Prokurorisë Speciale të njohur si “TNT” apo për rrënimin e kompleksit banesor “Kosmos” të Fiat Canovskit. Asokohe, Canovski akuzonte se lënda qëllimisht është mbajtur në sirtar për të mos fituar dëmshpërblim. /Alsat.mk

