“Bëhet fjalë për pauzë në procedurat që lidhen me vizat e emigrantëve. Nuk është listë e zezë apo pezullim. Mendoj se është korrekte para opinionit të themi se kjo nuk ndikon në të gjitha procedurat e tjera të vizave për Shtetet e Bashkuara”. Kështu komentoi Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, vendimin e djeshëm të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar përpunimin e vizave të emigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se “nëse jeni biznesmen, i cili dëshiron të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, do të jeni të lirë të aplikoni për vizë”.
“Nëse jeni student që dëshiron të studiojë në Shtetet e Bashkuara ose dëshiron të udhëtojë përmes “Work and travel”, nuk ka asnjë pengesë. Kupa Botërore në futboll do të mbahet në Amerikë, nëse dëshironi të udhëtoni si turist, ky vendim nuk do të ketë asnjë ndikim tek ju. Jemi në komunikim me Ambasadën Amerikane në Shkup në lidhje me vizat e emigrantëve dhe ambasada jonë komunikon me Departamentin Amerikan të Shtetit. Sipas informacioneve tona, numri më i vogël i aplikimeve në vendin tonë është për këtë lloj vize dhe ato janë për qytetarë të një kategorie më të vjetër. Nuk ka kufizim për të gjitha llojet e tjera të vizave”, shtoi kreu i diplomacisë së RMV-së.
Sipas Mucunskit, perceptimi i vendimit të SHBA-së të kujton historinë me tarifat.
“Lëreni pak në dorë të kohës, lëreni në dorë të komunikimit tonë dhe faktit që kemi bashkëpunim të shkëlqyer me partnerin tonë strategjik. Në periudhën e ardhshme, ndoshta në gjashtë muajt e ardhshëm, do të befasoheni pozitivisht nga ajo që mund të ndodhë në zhvillimin e politikës së vizave të SHBA-së ndaj vendit tonë, domethënë, do të fillojmë të mbyllim çështje që kemi tentuar t’i mbyllim për 20 vjet. Jemi proaktivë dhe po punojmë për një zgjidhje. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen”, tha ministri.

