Çështja e ndalimit të dinarit në Kosovës është bërë tashmë një nga temat më të diskutuara. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, institucionit që nxori rregulloren për ndalimin e dinarit, Ahmet Ismaili foli sot për këtë çështje.
Ai ka thënë,siç raporton Ekonomia Online, se pozita e BQK-së nuk është politike, duke shtuar se ky institucion vendos rregulla dhe ato duhet zbatuar.
“Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar. Nëse për zbatimin e rregullave duhet një kohë e arsyeshëm, është çështje që për neve këto janë rregulluar. Bile deri dje, se ka plot lloj deklarimesh që thonë se ka qenë e rregulluar, deri në fund të janarit kanë mund të hynë mjete transportuese në Kosovë me bo kesh dhe si ta fusin në Kosovë ta dërgojë ku ka dashtë. Për fatin e keq edhe Banka që ka qenë e licencuar ‘Komercjalna Banka’, e që tash është në proces të përmbylljes, është përdorur si arsyeje për transport por në të vërtetë në bazë të të dhënave që ka deklaruar në BQK, nuk përputhen me volumin e transaksionit që ka deklaruar. Që i bie qe BQK nuk ka arritur ta shikojë në mënyrë efektive edhe operimin e vet bankës që ka operuar në atë kohë”, tha ai.
I pyetur për shtyrjen e këtij vendimi, ai ka deklaruar se “çka me shty”.
“Qysh me shty, çka me shty, a i bie që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionit dhe ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”, tha Ismaili.