Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ditës së djeshme të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Ai i cilëson ato si dëshmi të një qasjeje joprofesionale dhe tendencioze, e cila, sipas tij, rrezikon seriozisht parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit dhe karakterin multietnik të shtetit.
Ademi vlerëson se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese po e shndërron jo vetëm veten, por edhe institucionin që drejton, në një organ parapolitik majorizues, në funksion të zhbërjes graduale të Marrëveshjes së Ohrit.
ARBËR ADEMI, SEKRETARI PËRGJITHSHËM I BDI-SË
“Të thuhet se ‘as nuk japim, as nuk marrim’, ndërkohë që paralajmërohet harmonizim me Kushtetutën pa transparencë dhe në kundërshtim me Amendamentin V të vetë Kushtetutës, përbën shkelje flagrante të të drejtave të shqiptarëve dhe minimizim të shqetësimeve legjitime të tyre, të cilët me të drejtë shohin rrezik në një proces të mbyllur, majorizues, të njëanshëm dhe pa asnjë argument profesional”.
Sipas tij, ky proces i mbyllur dhe pa transparencë minimizon shqetësimet legjitime të shqiptarëve, të cilët me të drejtë shohin rrezik në një vendimmarrje të njëanshme, majorizuese dhe pa argumentim profesional. Veçanërisht problematike, Ademi i konsideron edhe qëndrimet kundër parimit të Badenterit në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
ARBËR ADEMI, SEKRETARI PËRGJITHSHËM I BDI-SË
“Badenteri nuk është shpikje politike e BDI-së, por mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e komuniteteve dhe ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit”.
Ademi thekson se çdo tentativë për të anashkaluar mekanizmat kushtetues të barazisë do të prodhojë pasoja të rënda për stabilitetin institucional dhe besimin ndëretnik në vend.
Kujtojmë se të premtën kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka komentuar mekanizmin e Badenterit, duke theksuar se ky mekanizëm është i dobishëm në organet politike siç është Kuvendi, por nuk është i nevojshëm të përdoret në Gjykatën Kushtetuese sepse siç theksoi, krijon anomali. /SHENJA/

