LSDM: Buxhetit i mungon rreth një miliard euro, qeveria pa para për qytetarët, por jo për tendera

2 Min. Leximi

LSDM akuzon se buxhetit të shtetit i mungojnë rreth një miliard euro, ndërsa qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski nuk ka mjete për paga më të larta, rritje të pagës minimale, pensione më të larta dhe rimbursime në kohë të TVSH-së.

Sipas partisë opozitare, Drejtoria e të Ardhurave Publike po ushtron presion të madh ndaj qytetarëve dhe biznesit për të mbuluar boshllëqet buxhetore, ndërkohë që qeveria, siç pretendohet nga LSDM, shpenzon para publike për tendera të dyshimtë dhe kriminalë.

“Qeveria e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së nuk ka para për punëtorët dhe pensionistët, por ka para për tendera shumëmilionësh. 161 tendera iu dhanë një kompanie në vlerë prej 5.3 milionë eurosh, nëntë milionë euro një kompanie tjetër me vetëm dy të punësuar, si dhe tendera që lidhen me një student të Mickoskit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga kjo parti paralajmërojnë se në rrezik është edhe programi IPARD 3, me vlerë 130 milionë euro, për shkak të, siç thonë ata, krimit dhe korrupsionit të VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it.

LSDM thekson se energjia elektrike po shtrenjtohet, standardi i jetesës po përkeqësohet vazhdimisht dhe qytetarët po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira, ndërsa qeveria, sipas tyre, po pasurohet përmes prokurimeve publike dhe tenderëve.

“Duhet të ketë llogaridhënie. Të gjithë do të mbaheni përgjegjës. Puna nuk ka mbaruar”, porosit LSDM.

 

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull