Qyteti i Shkupit do të furnizohet me 40 kamionë të rinj për Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” deri në muajin prill, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Sipas tij, furnizimi do të realizohet në dy faza. Një pjesë e kamionëve do të blihen përmes procedurës së furnizimit publik, për të cilën mjetet janë siguruar nga Buxheti i Qytetit të Shkupit, ndërsa pjesa tjetër do të financohet përmes Ministrisë së Transportit dhe Bankës Botërore.
“Deri në prill do t’i furnizojmë kamionët në dy faza. Nga njëra anë, Qyteti përmes ‘Higjienës Komunale’ do të realizojë furnizim publik me mjete të ndara në buxhet, ndërsa nga ana tjetër, Ministria e Transportit përmes Bankës Botërore. Kjo është një risi e madhe për qytetin, sepse bëhet fjalë për kamionë modernë që kursejnë karburant dhe shpenzime për mirëmbajtje, dhe që do t’i plotësojnë plotësisht nevojat e qytetarëve të Shkupit”, deklaroi Gjorgjievski në ditarin qendror të televizionit “Sitel”.
Ai rikujtoi se më herët “Higjiena Komunale” kishte vetëm 16 kamionë funksionalë, ndërsa aktualisht numri i përgjithshëm arrin në rreth 40 deri në 50 automjete. Megjithatë, për shkak të vjetërsisë dhe defekteve të shpeshta, numri i kamionëve funksionalë po zvogëlohet vazhdimisht.
Gjorgjievski vlerësoi se situata me mbeturinat në Shkup është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por theksoi se ende ekziston një përqindje e vogël e qytetarëve që tregojnë neglizhencë, gjë që ndikon negativisht te e gjithë popullsia. Ai shtoi se gjatë periudhës së fundit janë shqiptuar qindra paralajmërime dhe gjoba.
Sa i përket transportit publik, kryetari i qytetit tha se pritet që situata të normalizohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, me ardhjen e autobusëve të rinj. Ai pranoi se ende ka probleme në disa zona, por theksoi se ato po tejkalohen gradualisht, duke përmendur edhe vështirësitë fillestare për shkak të furnizimeve të papaguara për disa pjesë rezervë.

