Parlamenti do të mbajë sot seancën e 75-të, me në rend të ditës zgjedhjen e ministrave të rinj për Çështjet Evropiane dhe Mjedisit. Pika e parë në rend të ditës është Propozimi për shkarkimin e Orhan Murtezanit nga pozicioni ministror në Ministrinë e Çështjeve Evropiane. Deputeti aktual dhe ish-ministri i Shëndetësisë Bekim Sali është propozuar si zëvendëskryeministër dhe Ministër i ri i Çështjeve Evropiane. Qeveria ka propozuar ish-zëdhënësin e qeverisë Muamet Hoxha si ministër të ri të Mjedisit.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë erdhi pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor, pasi Izet Mexiti mori postin e kryetarit në Komunën e Çairit, i cili kishte shërbyer si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në rend të ditës janë edhe propozimi për emërimin e një anëtari jo-ekzekutiv të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozimi për Ligjin për ratifikimin e protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të marrëveshjes për ndryshimin dhe aderimin në Marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, propozimi për Ligjin për huamarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut me hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sipas marrëveshjes së huasë për financimin e projektit “Rinovimi i mjetit lëvizës të mallrave” të Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Transporti SHA Shkup, me procedurë të shkurtuar, Propozimi për ligjin për ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me procedurë të shkurtuar, dhe Propozimi për ligjin për ndryshimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me procedurë të shkurtuar.

