Kryeparlamentari Gashi në Doha: Maqedonia e Veriut dhe Katari kërkojnë thellimin e bashkëpunimit kulturor

2 Min. Leximi

Kryetari i Kuvendit i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në margjinat e Forumit të Dohas ka zhvilluar një takim me kryetaren e Muzeve dhe Trashëgimisë Kulturore të Katarit, Sheikha Al-Mayassa bin Hamad bin Khalifa Al Thani, transmeton Anadolu.

Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit, Gashi në takim theksoi se e vlerëson lart vizionin e Katarit për zhvillimin dhe promovimin e kulturës, vlerave muzeale dhe trashëgimisë kulturore.

“Kjo mund të përbëjë një urë të fortë lidhëse mes popujve tanë, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është e pasur me trashëgimi kulturore dhe historike dhe njëkohësisht është e hapur për bashkëpunim, shkëmbim të njohurive dhe qasje moderne në mbrojtjen, digjitalizimin dhe prezantimin e kulturës”, tha Gashi.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se avancimi i bashkëpunimit mund të vazhdojë në fushën e industrisë së filmit, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut ka një skenë filmike dinamike dhe të njohur ndërkombëtarisht.

“Besohet se mund të hapen mundësi të rëndësishme bashkëpunimi me institucionet dhe festivalet e filmit në Katar përmes produkcioneve të përbashkëta, festivaleve të filmit, shkëmbimit të profesionistëve dhe mbështetjes për regjisorët dhe producentët e rinj. Duke kombinuar potencialin krijues të të dy vendeve, mund të krijohen projekte që do të tërheqin vëmendje ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin e kabinetit të kryeparlamentarit.

Gashi ndodhet në Katar për të marrë pjesë në edicionin e 23-të të Forumin e Dohas që po mbahet këto dy ditë me moton “Drejtësia në veprim: Përtej premtimeve për progres”.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull