Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka njoftuar se mbrëmë ka marrë pjesë në shënimin e 10-vjetorit të organizatës humanitare “Fundjavë Ndryshe”, së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe personalitete të tjera të njohura, aktivistë dhe miq të humanizmit.
Ahmeti u shpreh i nderuar për pjesëmarrjen dhe theksoi se “Fundjavë Ndryshe”, e drejtuar nga Arbër Hajdari, është kthyer në një prej nismave më të rëndësishme të solidaritetit në hapësirën shqiptare.
“Arbërin e përgëzoj nga zemra për punën e jashtëzakonshme dhe e uroj të vazhdojë me këtë mision fisnik të humanizmit dhe solidaritetit,” shkroi Ahmeti.
Eventi shënoi një dekadë të projekteve humanitare që kanë ndihmuar mijëra familje në nevojë, duke e bërë organizatën një prej historive më inspiruese të filantropisë shqiptare. (INA)

