“Safe City”: 77 kundërvajtje në minutë në Shkup! Toshkovski: Mbase do të ketë tolerancë për 10% të shpejtësisë!

4 Min. Leximi

Kamerat e “Safe City” kanë regjistruar 110 mijë kundërvajtje brenda 24 orëve të para vetëm në Shkup. E thënë ndryshe, 77 shkelje në minutë – dhe kjo vetëm në ditën e parë testuese. Më së shumti, apo 90%, janë për tejkalim shpejtësie, ndërsa mbi 5 mijë shkelje janë për kalim në të kuqen.
Nga Ministria e Brendshme thonë se sistemi është në fazë konsolidimi dhe në fuqi mund të hyjë nga 1 janari. Ministri Pançe Toshkovski tha se do të shqyrtohet mundësia nëse toleranca e shpejtësisë do të jetë deri në 10% të tejkalimit të kufizuar, sipas disa prej praktikave evropiane, bie fjala në kufizimin 50km/h të tolerohet deri 55 dhe gjobitja vihet kur arrin në 56km/h. Ai tha se nuk do të ketë tolerancë për asnjë veturë, qofshin ato edhe të zyrtarëve publikë, përveç Ndihmës së shpjet, Zjarrfikësve, Policisë në aksion dhe veturave në përcjellje të posaçme.

“Automjetet me targa të huaja gjatë daljes nga Maqedonia nuk mund të pengohen për të dalë nga shteti, sipas ligjit dhe nuk mund të jetë ndryshe. Por, do të jenë të informuar që nuk do t’ju lejohet hyrja në Maqedoni derisa nuk e paguajnë gjobën nga kundërvajtja në trafik. Unë nuk e them se ‘Safe City’ është ideal, nuk them se me këtë zgjidhje të ofruar e kemi kryer punën, jo! Sigurisht ka elemente që patjetër do të duhet ti korrigjojmë”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme .

Ky projekt po testohet në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë si dhe në Korridorin 10 dhe Korridorin 8. Në autostrada pritet të aktivizohen ditëve në vijim. Deri kah mesi i 2026-tës autoritetet synojnë të mbulojnë të gjitha qytetet e vendit me sistemin “Safe City”. Kryeministri Mickoski thotë se do t’i merr të gjitha kritikat mbi vete vetëm që ky sistem të arrij efektin në uljen numrit të vdekjeve nga aksidentet.

“E patë se brenda një dite sa kundërvajtje në trafik janë bërë, shumica prej tyre ishin sepse shoferë të pandërgjegjshëm ngisnin makinat, të cilat nuk ishin të regjistruara. Një pjesë e kundërvajtjeve, disa mijëra ishin sepse kanë kaluar semaforin në të kuqen. Ja vetëm kthehuni pas dhe do të shihni sa njerëz e kanë humbur jetën e tyre sepse dikush ka vozitur makinën duke mos e përshtatur shpejtësinë dhe duke kaluar në dritë të kuqe”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 nga aksidentet në trafik kanë vdekur 142 qytetarë, shifër kjo shumë e lartë në krahasim me shtete e BE-së ku mesatarja vjet ishte 45 viktima në një milion banorë. Në vendin tonë mesatarja në dekadën e fundit është 78 viktima në një milion banorë, ndërsa në shtetet skandinave bilanci është vetëm 20 viktima në një milion banorë. Autoritet synojnë që deri në viti 2050 këto masa të ulin në zero numrin e viktmave nga aksidentet në trafikun rrugorë në Maqedoni. /TV21

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull