Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, Ionut Mosteanu, ka dhënë dorëheqjen këtë të premte, më 28 nëntor, pasi pranoi se kishte gënjyer për studimet e tij në CV.
Dorëheqja e Mosteanu erdhi pasi gazeta Libertatea raportoi këtë javë se CV-ja e tij përmbante informacione të pasakta rreth kohës së diplomimit dhe universitetit ku ministrie i Mbrojtjes kishte studiuar.
Siç shkruan Reuters, Mostenau tha se nuk dëshironte që “gabimet” personale të tij të shpërqendronin punën e qeverisë për të mbajtur vendin të sigurt nga Rusia.
“Rumania dhe Europa janë nën sulmin rus,” shkroi Mosteanu në llogarinë e tij në Facebook duke njoftuar dorëheqjen.
“Siguria jonë kombëtare duhet të mbrohet me çdo kusht. Nuk dua që diskutimet mbi arsimin tim dhe gabimet që kam bërë vite më parë të shpërqendrojnë ata që udhëheqin vendin tani nga misioni i tyre i vështirë.”, shtoi ai.
Rumania, një shtet i Bashkimit Europian dhe NATO-s, ndan një kufi tokësor prej 650 km me Ukrainën dhe shpesh herë ka ndodhur që dronë rusë të shkelin hapësirën e saj ajrore që kur Moska pushtoi Kievin. Rumania gjithashtu është përballur me mina që lundrojnë në ujërat e saj në Detin e Zi.
Mosteanu ishte pjesë e qeverisë pro-europiane të koalicionit, e cila mori pushtetin në qershor pas përsëritjes së një zgjedhjeje presidenciale përçarëse. Zgjedhjet e para presidenciale u anuluan dhjetorin e kaluar për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse.
Kryeministri liberal Ilie Bolojan falënderoi Mosteanu-n për pesë muajt e tij në detyrë dhe tha se ministri i Ekonomisë, Radu Miruta, do të veprojë si ministër i mbrojtjes në detyrë.
Partia Save Romania Union, ku bëjnë pjesë si Mosteanu ashtu edhe Miruta dhe që është pjesë e koalicionit qeverisës, do të propozojë një ministër të ri të mbrojtjes.

