Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se do ta telefonojë homologun e tij rus Vladimir Putin për të diskutuar ringjalljen e korridorit të drithërave në Detin e Zi, raporton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në kuadër të samitit të liderëve të G20-ës në Johanesburg, Afrikë e Jugut, Erdogan tha se “përpjekjet tona lidhur me korridorin e drithërave, në fakt, synonin të hapnin rrugën drejt paqes”.
“Besoj se, nëse arrijmë ta vëmë në lëvizje këtë proces, do të ishte shumë i dobishëm”, shtoi ai.
Ankaraja organizoi për herë të parë bisedimet Rusi–Ukrainë në vitin 2022 dhe më pas ndërmjetësoi marrëveshjen e drithërave në Detin e Zi për të lehtësuar eksportin e drithërave dhe plehrave nga portet ukrainase gjatë luftës. Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në korrik 2023.
Lidhur me konfliktin në Sudan, presidenti turk tha se populli sudanez dëshiron që Ankaraja të ketë një rol në zgjidhjen e çështjes, duke premtuar: “Kudo që ka probleme, ne do të jemi aty”.
“Qoftë në Gjirin Persik, Sudan apo Somali, ne kemi qenë pjesë e këtyre përpjekjeve; edhe nga tani e tutje, do të vazhdojmë të nxitojmë kudo për paqe”, shtoi Erdogan.
Erdogan përshëndeti mbështetjen “e palëkundur dhe të vlefshme” të Afrikës së Jugut për Palestinën, duke thënë se kjo tregon qëndrim shembullor gjatë gjenocidit në Gaza.
Ai e quajti “qëndrim i guximshëm” hapin e Afrikës së Jugut për të hapur padi për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Turqia mbështet fuqimisht kauzën palestineze pa hezitim, tha ai, duke shtuar: “Ne mbrojmë me guxim të drejtat e popullit të shtypur të Gazës në çdo platformë”.
Erdogan paralajmëroi se paqja globale është e pamundur derisa të krijohet Palestina e pavarur bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.
“Është e qartë, evidente se lufta në Gaza është gjenocid”, tha presidenti turk.
“Izraeli dhe kryeministri i tij Benjamin Netanyahu janë autorë të gjenocidit në Gaza”, shtoi ai.
Erdogan po ashtu theksoi rëndësinë e G20-ës për anëtarët, pasi, sipas tij, ajo i ofron lidership bashkësisë ndërkombëtare kundër sfidave globale aktuale dhe të ardhshme.
Samiti dyditor i G20-ës në Johanesburg përfundoi sot, ndërsa Afrika e Jugut ia dorëzoi presidencën e radhës SHBA-së, e cila nuk mori pjesë në takim.

