Klinika e Fëmijëve sot ka pranuar një donacion të rëndësishëm me pajisje moderne mjekësore, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve të vegjël. Donacioni përfshin pesë aparate të avancuara: Plazmaterm, Bilirubinometër, aparat ultrazë për gjëndrën tiroide dhe organe të tjera, Videolaringoskop dhe EKG Holter.
Vlera e përgjithshme e donacionit arrin afër 2,7 milion denarë dhe është siguruar nga Fondacioni “Ice Begov”, humanisti Antonio Pandovski si dhe donatorë të tjerë që mbështetën aksionin humanitar “Për heronjtë tanë të vegjël”.
Kjo iniciativë konsiderohet një akt i madh human dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për rreth 70,000 fëmijë që trajtohen çdo vit në Klinikën e Fëmijëve.
Drejtori i klinikës, Dr. spec. Rexhep Memedi, shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj përfaqësueseve të Fondacionit “Ice Begov”, zonjës Elena Begova dhe zonjës Snezhana Saramandova, duke vlerësuar angazhimin, transparencën dhe përkushtimin e tyre në realizimin e këtij projekti.
Falënderime të veçanta u drejtuan edhe për Antonio Pandovskin, i cili me iniciativën e tij për të vrapuar 600 kilometra deri në Manastirin e Ostrogut dha një shembull të jashtëzakonshëm guximi, vendosmërie dhe humanizmi.
Donacioni i sotëm përbën një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së shëndetit të fëmijëve dhe mbështetjes së vazhdueshme për institucionet shëndetësore në vend.
Memedi: Klinika e Fëmijëve pranon donacion prej 2.7 milion denarësh për pajisje të avancuara mjekësore

Ndani këtë artikull
