Gashi: Siguria, përgjegjësia dhe e ardhmja jonë është e përbashkët

7 Min. Leximi

I nderuar z. Amer Kapetanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit dhe Bashkëpunimit Rajonal,
I nderuar z. Arben Fetai, Zv. Kryeministër Qeverisë së Maqedonië së Veriut, i ngarkuar me Politikat e Qeverisjes së Mirë,
I nderuar z. Paolo Palminteri, Ambasador i Italisë në Maqedoninë e Veriut,
I nderuar z. Stefano Gambacurta, Zv. Drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Ministrinë e Brendshme të Italisë,
Të nderuar ministra, zëvendësministra nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Europian, ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, përfaqësues të mediave, zonja dhe zotërinj,
Është nder dhe privilegj i veçantë t’ju drejtohem në këtë konferencë të rëndësishme, që na ka tubuar rreth një teme që prek zemrën e paqes, stabilitetit dhe së ardhmes sonë të përbashkët — sigurinë në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Më lejoni që në fillim ta falënderoj Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), qeverinë italiane dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut për organizimin e një ngjarjeje që është jetike për zhvillimin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë konferencë ne nuk jemi vetëm për ta vlerësuar progresin që e kemi bërë, por edhe për të rivendosur një marrëveshje besimi mes nesh. Një besëlidhje se siguria nuk është më çështje kufijsh, por një përgjegjësi e përbashkët. Është kjo në përgjegjësi që na flet se e ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një destinacion politik, por një projekt i përbashkët sigurie, stabiliteti dhe mirëqenieje.
Prandaj, në fjalën time dua të ndalem në tri shtyllat që e përbëjnë thelbin e kësaj konference: siguria, partneriteti dhe e ardhmja e përbashkët europiane e Ballkanit Perëndimor.
Të nderuar,
Duke jetuar në një kohë të trazuar, nuk e kemi vështirë të konstatojmë se pasiguritë nuk janë më vetëm në hapësirat gjeografike ose edhe politike, porse ato shtrihen edhe në hapësirën digjitale, në narrativat tendencioze, në dezinformimin e masës, në ndikimet e huaja dashakeqe, e deri tek sfidat që prekin ekonominë, institucionet dhe vetë demokracinë. Këto sfida na mësojnë se asnjë shtet nuk mund t’i përballojë ato vetëm dhe se siguria është e ndërlidhur jo vetëm brenda vendeve tona, por edhe midis rajoneve dhe me Europën, në përgjithësi.
Prandaj, jam i bindur se siguria e Europës nuk mund të jetë e plotë pa sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Dhe, po aq e vërtetë është se siguria jonë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa integrimin e plotë të rajonit në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Lufta në Ukrainë është dëshmia më e qartë e kësaj teze. Ajo na kujton se paqja dhe stabiliteti në kontinentin tonë nuk janë të përhershme dhe falas, por kërkojnë unitet, qëndrueshmëri dhe solidaritet.
Nisur nga kjo, më duhet të theksoj se tema e integrimit për Ballkanin Perëndimor nuk është më thjesht një horizont politik, por është shndërruar tashmë në çështje të sigurisë së përbashkët europiane. Për këtë arsye, gjykoj se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE është një investim në vetë stabilitetin e Europës. Kjo kërkon një mobilizim të ndërsjellë dhe një vigjilencë të shtuar. Prandaj, ky është një moment kritik që na bën thirrje neve si rajon që ta rrisim përgjegjësinë, të forcojmë bashkëpunimin dhe ta thellojmë reformën. Por, njëherazi kjo është edhe një thirrje për Bashkimin Europian që ta vazhdojë angazhimin aktiv në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit.
Të dashur miq,
Unë jam i bindur se partneriteti është vetë siguria. Në këtë pikë është e rëndësishme të theksojmë se nëse duam ta ndërtojmë sigurinë dhe besimin në Europë, së pari duhet të ndërtojmë besim midis nesh, besim në institucionet tona, në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin fqinjësor dhe në vlerat që na bashkojnë. Po ashtu, partneriteti me Bashkimin Europian duhet të thellohet në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, siç është sundimi i ligjit, ekonomia, politikat arsimore, shëndetësore, sociale dhe politikat e përbashkëta të sigurisë.
E kur flasim për të ardhmen, më duhet të theksoj se Ballkani Perëndimor e ka vetëm një alternativë dhe ky është Bashkimi Europian. Prandaj, duke e pasur gjithmonë në mendje këtë orientim gjeopolitik, ne duhet të jemi pjesë aktive e politikave europiane dhe jo spektatorë të këtyre zhvillimeve. Për këtë arsye nga ne pritet guxim politik dhe palëkundshmëri në këtë vizion të përbashkët.
Zonja dhe zotërinj,
Duke e përmbledhur fjalën timë në këtë forum, që shënon një dekadë përpjekjesh të përbashkëta për një rajon më të sigurt dhe më europian, dua së bashku ta riafirmojmë një të vërtetë themelore “Siguria, përgjegjësia dhe e ardhmja jonë është e përbashkët”. Prandaj, përmes forumeve si ky dhe hapave konkretë që dalin nga këto ngjarje, duhet të ndërtojmë një Ballkan Perëndimor që nuk shihet më si burim rreziku, por si burim stabiliteti dhe bashkëpunimi për gjithë Europën.
Më lejoni që në fund, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve tanë, që besojnë në një të ardhme të sigurt dhe europiane, t’ju falënderoj dhe përgëzoj për organizimin dhe përkushtimin në këtë ngjarje të rëndësishme që i bën shtetet dhe popujt të punojnë bashkë mbi interesat e përbashkëta. Ashtu siç na kujton një nga arkitektët e paqes dhe Unionit Europian, Jean Monnet: “Bëni njerëzit të punojnë së bashku; tregojuni se përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë ekziston një interes i përbashkët”
Le të jetë kjo konferencë një pikë kthese nga pasiguria drejt besimit, nga ndarjet drejt unitetit, si dhe nga sfidat drejt mundësive të përbashkëta.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull