Kryetari i ri i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski sot mori zyrtarisht certifikatën e mandatit dhe njoftoi se nga sonte do të fillojë aksioni i parë i madh për pastrimin e qytetit, një nga premtimet kryesore të fushatës së tij.
“Zyrtarisht, duke filluar nga sot, Shkupi po hap një faqe të re. Certifikata që mora është simbol i besimit që qytetarët më dhanë, por edhe një përgjegjësi e madhe për të punuar me përkushtim dhe rezultate konkrete. Do të jem kryetar për të gjithë, pa dallime fetare, kombëtare apo partiake. Për mua nuk ka ndarje. Prioriteti im është një e ardhme më e mirë dhe një jetë dinjitoze për të gjithë. E keni fjalën time”, shkroi ai në Facebook.
Gjorgjievski njoftoi se sonte, në orën 20:30, nis aksioni 72-orësh për pastrimin e Shkupit. Ndërsa nga nesër, sipas tij, fillon riorganizimi i ndërmarrjeve publike për të normalizuar funksionimin e qytetit.
Ai paralajmëroi se shumë projekte të reja do të nisin së shpejti, përfshirë investime në infrastrukturë, arsim, sport dhe mjedis, si dhe kthimin e transparencës në punën e Komunës.
“Shkupi më në fund do të jetë një qytet i hapur. Është koha!”, përfundoi Gjorgjievski.

