Osmani e mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë së re

4 Min. Leximi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

Presidenca e Kosovës njoftoi në Facebook se Osmani e nënshkroi dekretin të shtunën për mandatimin e Kurtit, i cili është kryeministër në detyrë, për ta bërë Qeverinë e re.

Vendimi vjen pasi një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës u konstitua përfundimisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit nga pakica serbe.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti”, tha Presidenca.

Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

Por, ai do të ketë punë për t’i gjetur të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për mandatin e tretë në krye të Qeverisë, pasi partia e tij i fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit dhe deputete e partisë së Kurtit, tha të premten se LVV-ja është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për ta qeverisur vendin.

Sipas saj, LVV-ja është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.

“Jemi të hapur të bisedojmë edhe me deputetë që janë nga grupet parlamentare apo subjektet e tjera politike. Ka pasur përpjekje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka pasur kontakte që të kemi koalicion me Nismën, por s’kanë pasur vullnet”, tha ajo.

Partia e Kurtit gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me pakicat joserbe, që kanë 10 ulëse.

Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër i PDK-së, kishte thënë në mars se nëse LVV-ja nuk do të mundë ta krijonte Qeverinë brenda afateve ligjore, PDK-ja do ta merrte përgjegjësinë për formimin e saj.

PDK, që ka 24 ulëse, nuk ka “vija të kuqe” ndaj asnjë partie, kishte thënë Hamza.

LDK-ja, që ka 20 ulëse, dhe AAK-ja, që ka 5 ulëse, kanë përjashtuar koalicionin me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për të formuar një qeveri së bashku.

Me 3 deputetët e saj, Nisma, në anën tjetër, ka thënë se mund të ndihmojë në sigurimin e shumicës së nevojshme prej 61 votash, bashkë me LVV-në dhe partitë e komuniteteve joshumicë./REL

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull