Me rastin e 28 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit boshnjak nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore, përfshirë akademinë, artin, kulturën, politikën, diplomacinë dhe organizatat rinore.
“Pata nderin të organizoj një takim konstruktiv me përfaqësues të boshnjakëve nga të gjitha fushat, ku së bashku theksuam rëndësinë e njohjes dhe respektimit të të drejtave të komunitetit boshnjak si një hallkë e rëndësishme për shtetin tonë,” tha Gashi.
Ai shtoi se kjo ditë është një mundësi për të theksuar përkushtimin ndaj një shoqërie gjithëpërfshirëse. “I urova me bindje që Dita e Boshnjakëve është mundësi për të ritheksuar angazhimin tonë për një shoqëri ku çdo individ, pavarësisht etnisë, ka mundësinë të zhvillohet dhe të kontribuojë si qytetar i barabartë,” theksoi kryeparlamentari.
Në fund, Gashi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëretnik: “Takime si këto janë një hap për avancimin e bashkëpunimit dhe unitetit midis të gjitha grupeve etnike në vend.”