Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, ka prezantuar një pako investimesh infrastrukturore që kapin vlerën mbi 760 mijë euro, të destinuara për lagjen Fushë Topanë.
“Do të rikonstruktohen rrugët Ismail Qemali, Metodija Mitevski, Mehmet Gega, Nikolla Maleshevski dhe Gjorgji Pop Hristov. Investimet përfshijnë asfalt të ri, trotuare bashkëkohore, ndriçim tërësisht të ri, parkingje dhe sipërfaqe të gjelbërta,” tha Mexhiti.
Ai theksoi se projekti do të sjellë edhe një dimension estetik në komunë: “Do të vendosen zhardonjerë dekorativë dhe lule, sepse duam që Çairi të ketë një pamje më estetike dhe më të pastër.”
Në të njëjtën kohë, ka nisur edhe rekonstruksioni i rrugës “Maksut Sadik”, e cila lidh Çairin me Universitetin “Nënë Tereza”. “Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për studentët dhe qytetarët,” tha ai.
Sipas Mexhitit, të gjitha këto investime janë mundësuar falë fondeve qeveritare të siguruara në 15 muajt e fundit:
“Nga buxheti vetanak i komunës nuk mund të mbulohen projekte të tilla madhore. Ky është vetëm fillimi. Në katër vitet e ardhshme Çairi do të transformohet tërësisht në një komunë me infrastrukturë bashkëkohore.”
Në fund, ai u zotua: “Vetëm për ty, Çairi im!”