Osmani për largimin e vajzave nga shkolla publike: Vlerësimi ka qenë i sigurisë

9 Min. Leximi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se ka marrë me dhjetëra kërcënime me jetë, përfshirë edhe nga serbët. Ajo tha se kërcënimet po drejtohen edhe ndaj vajzave të saj, për çka sipas saj është hera e parë në “historinë e institucioneve të Kosovës që drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë masë”.

Kështu u shpreh ajo në një konferencë për media, ku foli për rastin e djeshëm të arrestimit të gazetarit, që sipas saj në atë zonë ka shenja që ndalohet incizimi i paautorizuar.

- Advertisement -

“Dje u publikua edhe një gënjeshtër që kinse policia qëndron në klasën e fëmijëve të mi derisa ato mbajnë mësim, kjo është një gënjeshtër e pastër, kjo nuk është e vërtetë dhe kurrë askush nuk i ka kërkuar Policisë që të qëndrojë në klasë ku ato mësojnë, do të ishte çmenduri nëse unë si prind do të kërkoja një gjë të tillë dhe natyrisht do të dëgjonit edhe nga prindërit e tjerë deri tani. Vajzat e mia për pesë vjet kanë qenë në shkollën publike ‘Ismail Qemali’, shumë afër vendit ku kemi banuar më herët. Dhe po ashtu një gënjeshtër që dje u publikua kinse se ato kanë mbajtur mësim veçmas, e fëmijët tjerë diku tjetër, edhe kjo një gënjeshtër e kulluar, siç mund të dëshmohet nga 40 fëmijë dhe prindërit e tyre që kanë qenë në të njëjtën klasë me vajzat e mia. Ato nuk kanë mbajtur mësim ndaras…Gënjeshtra tjetër që u publikua dje që kinse mbrojtja ime e ka arrestuar gazetarin, dua t’i sigurojë të gjithë mediat dhe ju e keni sa herë që sa herë kam qenë në publik që unë vet kam kërkuar nga mbrojtja e afërt që juve mos me ju prek me dorë. Por dje mbrojtja e afërt nuk e ka arrestuar gazetarin, nuk është arrestuar nga mbrojtja ime e afërt, ata nuk arrestojnë gazetarë”, deklaroi ajo.

- Advertisement -

“Kushtet në shkollën Ismail Qemali kanë qenë publike për një kohë të gjatë…Asgjë të re nuk kam thënë, thjeshtë e kam përmendur faktin që edhe ne për pesë vite me radhë jemi përballë me të njëjtat sfida sikur të tjerët…Sikur të mos përballeshim me sfida të sigurisë që janë shumë specifike për vajzat e mia, do të vazhdoja. Por, ato kanë qenë sfida tepër specifike për rastin në fjalë të vlerësuara nga organet e sigurisë. Përfshirë kërcënime me vdekje. Shumë më lehtë mbrohet një fëmijë vetëm me një hyrje sesa kur ke një shkollë me 5-6 hyrje. Vlerësimi ka qenë i sigurisë dhe ka pasur të bëjnë me kërcënime që ne i marrim vazhdimisht. Edhe e përmenda çështjen e largësisë, sepse tani jemi shumë shumë më larg”, shtoi Osmani.

Në konferencë për media, ajo tha se “nuk ka informatë se kur dhe nga kush është arrestuar gazetari”, për çka shtoi se asnjëherë nuk ka bërë kërkesë për një gjë të tillë.

“Ju e dini shumë mirë që incizimi i paautorizuar është vepër penale. Po ashtu ju e dini shumë mirë që në kodin e etikës për mediat e shkruara një nga nenet kryesore është ndalimi i incizimit të paautorizuar dhe pa lejen e prindërve për fëmijët nën moshën 18-vjeçare, deri sot ne kemi pasur dhjetëra raste kur fëmijët tanë janë incizuar, është publikuar fytyra e tyre pa asnjë autorizim, pa asnjë leje paraprake, pa asnjë leje nga pajtim nga prindërit. Natyrisht që ne si prindër kemi të drejtë të publikojmë. Por, pa asnjë autorizim në një zonë ku siç jam informuar nga policia ka qenë shenja që ndalohet incizimi i autorizuar, aty ka filluar dje incizimi në momentin kur fëmijët është dashur të dalin nga shkolla. Në atë moment ka filluar incizimi sepse aty ka qenë momenti kur fëmijët është dashur të dalin nga shkolla dhe ne e kemi vonuar daljen në mënyrë që të presim që të largohet gazetari”, theksoi Osmani.

E para e shtetit tha se çdo gjashtë muaj policia bën analizimin e rrezikshmërisë dhe konkluzioni është se “vajzat e mia janë në rrezikshmëri të lartë”.

Ajo u shpreh se ka marrë me dhjetëra kërcënime me jetë, përfshirë edhe nga serbët.

“Ka një kërcënim që ka ardhur nga serbët, ka qenë në twitter ku është postuar fotografia ime dhe e dy vajzave të mia, ku thuhet ‘ju do të vdisni së shpejti’ dhe shumë e shumë kërcënime të tjera, të cilat zakonisht drejtohen ndaj fëmijëve të mi. Një kërcënim tjetër nga serbët është ku publikohen foto të snajperit drejtuar veturës sime. Deri sot përkundër dhjetëra kërcënimeve me jetë, për vrasje me plumb në ballë, për ngrehje zhagë e dëbim nga Kosova e për dhunim të fëmijëve të mi është hera e vetme në historinë e institucioneve të Kosovës që drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë masë, zero. Dhe ju duhet të pyesni në favor të kujt shkon që një president i shtetit kushdo qoftë ai ose ajo, të mos ketë trajtimin e barabartë në sistemin tonë të drejtësisë. Ju e dini shumë mirë që çdo politikan tjetër kur kërcënohet, pavarësisht a është nga pushteti apo nga opozita i shohim shumë shpejt të akuzuarit para gjykatës, duke kërkuar falje, duke i rënë pishman, e çka tjetër”, theksoi Osmani në konferencë për media.

Më tej, Osmani tha se ligji përcakton që presidentja dhe familja e ngushtë kanë mbrojtje të afërt dhe e kanë nivelin e rrezikshmërisë së lartë.

“Dy fëmijë të vegjël në asnjë moment nuk kanë dëshirë të jenë të përcjellur nga mbrojtja e afërt, është shumë e dëmshme për psikologjinë e tyre, është shumë e dëmshme për rritjen e tyre, është pengesa më e madhe në raport me zhvillimin e fëmijëve të mi. Vajzat e mia e urrejnë atë përcjellje, por s’ka qenë kurrë zgjedhje e tyre. Ua pengojnë fëmijërinë normale, ua pengojnë qeshjen normale, ua pengojnë lojën normale e ato nuk duan asgjë tjetër thjesht të luajnë, të mësojnë dhe të rriten sikurse bashkëmoshataret e tyre. Mirëpo, rregullat e sigurisë dhe të protokolleve të sigurisë, as nuk i kam shpikur unë, as nuk i kam sjellur unë, ato kanë qenë të njëjta edhe për presidentët paraprakë dhe do të mbesin të njëjta edhe për presidentët e ardhshëm”, u shpreh ajo.

E para bëri thirrje shtetit që mediat që të mos incizojnë vajzat e saj pa autorizim.

“Më sulmoni mua ditë e natë mos u ndalni, kurrë mos u ndalni, më sulmoni për çka të ju merr mendja, por mos bini deri në atë pikë që fëmijët e vegjël që nuk i kanë askujt asnjë faj, askujt nuk i kanë asnjë faj dhe kurrë nuk kanë kërkuar as mbrojtjen e afërt, as nuk e kanë zgjedhur llojin e shkollës, atë vendim e kemi marrë ne si prindër siç e merr çdo prindër tjetër, ju lutem mos i incizoni vajzat e mia pa autorizim, e keni detyrim ligjor e keni detyrim me kod të etikës për mediat e shkruara. Nuk kam dhënë leje kurrë që ta bëni këtë gjë pa autorizim dhe pa prezencën time”, përfundoi ajo.

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar edhe mbrëmë pas arrestimit të kameramanit, i cili u tha se xhiroi fëmijët e saj në shkollë.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e cili e dënoi mbajtjen që e cilësoi si të paligjshme nga Policia e Kosovës. Më vonë, njoftoi se “pas disa orësh të mbajtjes së jashtëligjshme në Stacionin Policor Qendër, kameramani Jetmir Muji është liruar.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull